
Më 6 dhjetor 2025, në lagjen Maxhir Maalo në Shkup, u realizua iniciativa ekologjike “Eko Çistka”, si pjesë e aktiviteteve në kuadër të projektit ZZZ – Së bashku për avokim të gjelbër për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Iniciativa u zbatua nga Petar Stevanoviq nga “Za Poçista Makedonija” dhe Dijana Velkovska, me mbështetje mentoruese nga Simona Petrovska nga QMA Krik, dhe kishte për qëllim largimin e mbeturinave të grumbulluara nga bregu pranë Maxhir Maalos si dhe ngritjen e vetëdijes publike për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Çfarë u arrit?
Në aksion u përfshinë pjesëmarrës nga gjenerata të ndryshme, të moshës 24 deri në 46 vjeç, të cilët së bashku arritën të grumbullojnë më shumë se 50 thasë të zinj (120 litra) mbeturinash nga shtegu për patina dhe biçikleta përgjatë bregut të lumit Vardar.
Ngjarja mori edhe dukshmëri mediatike përmes paralajmërimit në programin e mëngjesit në Alfa TV, gjë që kontribuoi në informim më të gjerë dhe inkurajim të qytetarëve për t’u përfshirë në aksione të tilla ekologjike.
Përveç pastrimit të drejtpërdrejtë të hapësirës, iniciativa krijoi edhe hapësirë për diskutim të përbashkët dhe planifikim të aktiviteteve të ardhshme, ku pjesëmarrësit shprehën motivim të fortë për të vazhduar me aksione për përmirësimin e gjendjes me mbeturinat në komunitet.
Sfida dhe mësime të nxjerra
Gjatë organizimit u shfaqën vështirësi të lidhura me marrjen në kohë të mbeturinave të grumbulluara nga shërbimet komunale. Megjithatë, përmes koordinimit dhe ndarjes së lokacionit të saktë, mbeturinat u morën me sukses, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet iniciativave qytetare dhe institucioneve.
Kjo iniciativë tregoi edhe një herë se veprimi i përbashkët, kujdesi për hapësirën publike dhe përgjegjësia qytetare mund të krijojnë ndryshime të dukshme në mjedisin lokal dhe të nxisin iniciativa të reja të gjelbra.
Iniciativa është realizuar në kuadër të projektit “ZZZ – Së bashku për avokim të gjelbër për mbrojtjen e mjedisit jetësor”, i financuar nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas, dhe i zbatuar nga Qendra për Aktivizëm Rinor KRIK, Center for Social Initiatives “Nadez” dhe Shoqata e Punonjësve Socialë të Maqedonisë – ZSRM.