• Ballina
  • Ndikimi i ajrit të ndotur në shëndetin e të rinjve në Shkup

Ky studim rasti paraqet ndikimin e ajrit të ndotur në shëndetin fizik dhe mendor të të rinjve në Shkup, përmes një përvoje personale dhe të dhënave nga një hulumtim aksionar. Ai hap pyetje mbi cenueshmërinë shëndetësore, kufizimet e përditshme dhe nevojën për zgjidhje sistemike dhe të përbashkëta.

blog-thumb

Ajri i ndotur është një realitet i përditshëm për një numër të madh të të rinjve në Shkup. Ky studim rasti vë në qendër përvojën e një të riu që jeton me një sëmundje kronike respiratore dhe që i ndien drejtpërdrejt pasojat e ndotjes së lartë të ajrit, veçanërisht gjatë muajve të dimrit.

Përmes dëshmisë së tij tregohet se si ndotja nuk ndikon vetëm në shëndetin fizik, por edhe në gjendjen mendore, arsimin, jetën sociale dhe mundësitë për pjesëmarrje aktive në komunitet. Vështirësitë në frymëmarrje, sulmet e shpeshta shëndetësore, stresi dhe ankthi bëhen pjesë e përditshmërisë, ndërsa dalja jashtë shpesh përjetohet si rrezik, e jo si e drejtë.

Të dhënat nga hulumtimi aksionar “Nga diversiteti në drejtësi – të barabartë në të drejtën për një mjedis të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për të gjithë” (2024) tregojnë se më shumë se gjysma e të rinjve në Maqedoninë e Veriut jetojnë në mjedise me nivel të lartë të ndotjes së ajrit. Të rinjtë nga zonat urbane janë dukshëm më të ekspozuar ndaj ndotjes krahasuar me ata nga zonat rurale. Pothuajse të gjithë të rinjtë e pranojnë se mjedisi i ndotur ka ndikim negativ në shëndetin e tyre fizik, ndërsa çdo i treti mendon se ai e dëmton plotësisht edhe shëndetin e tyre mendor.

Studimi i rastit nuk ofron zgjidhje të thjeshta, por thekson rëndësinë e hapave të vegjël të përditshëm dhe të veprimit kolektiv. Përdorimi i transportit publik dhe biçikletës, mbështetja e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe pjesëmarrja aktive qytetare përmes iniciativave publike dhe protestave identifikohen si mënyra përmes të cilave të rinjtë mund të kontribuojnë për një mjedis më të pastër dhe shëndet më të mirë.

Ky studim rasti hap një diskutim më të gjerë mbi të drejtën për ajër të pastër si një e drejtë themelore e njeriut dhe mbi përgjegjësinë e institucioneve, por edhe të shoqërisë në tërësi, për të krijuar kushte në të cilat të rinjtë mund të jetojnë, mësojnë dhe zhvillohen në mënyrë të sigurt.

📘 Lexoni studimin e plotë të rastit këtu.

ℹ️ Studimi është realizuar në kuadër të projektit “ZZZ – Së bashku për Avokim të Gjelbër për Mbrojtjen e Mjedisit”, i financuar nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas, dhe i zbatuar nga Center for Youth Activism KRIK, Center for Social Initiatives “Nadez” dhe Shoqata e Punonjësve Socialë të Maqedonisë së Veriut – ZSRM.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë përgjegjësi e vetme e autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas apo organizatave që zbatojnë programin.