• Ballina
  • Nisma të gjelbra lokale për mbrojtjen e mjedisit: si t’i përfshijmë të rinjtë?

Kjo studim rasti paraqet përvojën nga një njësi e vetëqeverisjes lokale në Qytetin e Shkupit dhe pyetjen se si të motivohen të rinjtë për t’u përfshirë në gjelbërim dhe aktivitete ekologjike. Përmes gjetjeve të hulumtimit dhe ideve praktike, studimi ofron drejtime për rritjen e pjesëmarrjes rinore në nismat e gjelbra lokale.

blog-thumb

Nismat e gjelbra lokale janë thelbësore për një mjedis më cilësor dhe komunitete më rezistente. Ky studim rasti vendos në fokus perspektivën e një të punësuare në një njësi të vetëqeverisjes lokale në territorin e Qytetit të Shkupit, ku zbatohen një sërë aktivitetesh për mbrojtjen e mjedisit – me theks të veçantë në gjelbërimin e hapësirave publike, ngritjen e vetëdijes ekologjike dhe pjesëmarrjen aktive të komunitetit, veçanërisht të të rinjve.

Si pjesë e përpjekjeve komunale për zvogëlimin e pasojave të ndryshimeve klimatike, rregullisht shënohen ditë të dedikuara për ekologjinë, si Dita e Ekologjisë, Dita e Tokës dhe Dita pa Automjete. Gjatë vitit të kaluar u organizua edhe një aksion për mbjelljen e fidanëve, por interesi për pjesëmarrje – sidomos te të rinjtë – mbeti i ulët. Kjo hap pyetjen: si mund t’i motivojnë autoritetet lokale të rinjtë që të përfshihen dhe të bëhen bartës të ndryshimeve të gjelbra?

Të dhënat nga hulumtimi veprues “Nga diversiteti te drejtësia – të barabartë në të drejtën për një mjedis të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për të gjithë” (2024) tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e të rinjve nuk e dinë nëse në komunën e tyre zbatohen aktivitete për përfshirjen e të gjithë të rinjve (përfshirë të rinjtë me më pak mundësi, të rinjtë me aftësi të kufizuara dhe ata të privuar socialisht/materialisht). Në të njëjtën kohë, në shumë komuna organizohen aksione pune për pastrimin e hapësirave publike dhe aktivitete për gjelbërim dhe pyllëzim – që do të thotë se baza ekziston, por nevojiten qasje më të mira për informimin dhe mobilizimin e të rinjve.

Studimi i rastit ofron edhe ide konkrete dhe praktike se si të rinjtë mund të përfshihen dhe të kontribuojnë, për shembull përmes:

  • fushatave në rrjetet sociale me përmbajtje informuese për rëndësinë e gjelbërimit dhe pjesëmarrjes rinore;
  • organizimit të grupeve me miq/shokë klase për pjesëmarrje të përbashkët në aksione (mbjellje drurësh, pastrim, riciklim, iniciativa për ajër të pastër etj.);
  • punëtorive dhe prezantimeve mbi temat ekologjike në shkolla dhe komunitete lokale;
  • garave në shkolla për “idenë më të mirë” për gjelbërim, me shpërblime ose mirënjohje për pjesëmarrësit më aktivë.

Mesazhi është i qartë: të rinjtë duan të marrin pjesë kur kanë informacion, hapësirë dhe ndjenjën se kontributi i tyre është i rëndësishëm. Nismat e gjelbra lokale mund të bëhen shumë më të fuqishme kur të rinjtë njihen si partnerë – jo vetëm si publik.

📘 Lexo studimin e plotë të rastit këtu.

ℹ️ Studimi i rastit është përgatitur në kuadër të projektit “ZZZ – Së bashku për Avokim të Gjelbër për Mbrojtjen e Mjedisit”, i financuar nga Qeveria e Zvicrës përmes programit “Civica Mobilitas”, të cilin e zbatojnë Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar – MCMS, NIRAS nga Danimarka dhe FCG nga Suedia.

Qëndrimet e shprehura në këtë publikim janë përgjegjësi e vetme e autores dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen se pasqyrojnë pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas apo organizatave që zbatojnë programin.