• Ballina
  • Shpërblime apo ndëshkime? Çfarë funksionon vërtet në mbrojtjen e mjedisit

Ky studim rasti shqyrton dilemën nëse masat ndëshkuese apo stimujt pozitivë janë më efektivë në përballjen me ndotjen dhe sfidat klimatike, përmes qëndrimeve të të rinjve dhe shembujve konkretë nga praktika në Maqedoninë e Veriut.

blog-thumb

Si të nxitet një sjellje më e përgjegjshme ndaj mjedisit?

Përmes ndëshkimeve më të rrepta apo përmes shpërblimit të praktikave pozitive ekologjike?

Ky studim rasti, pjesë e analizës “Nga diversiteti drejt drejtësisë – të barabartë në të drejtën për një mjedis të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për të gjithë”, hap pikërisht këtë dilemë përmes përvojave dhe qëndrimeve të të rinjve nga të tetë rajonet planifikuese në Maqedoninë e Veriut.

Të rinjtë e përfshirë në grupet fokusuese janë të ndarë në mendime. Një pjesë e tyre beson se ndëshkimet më të rrepta për ndotësit – si për individët ashtu edhe për subjektet juridike – janë të domosdoshme për të vendosur rend dhe përgjegjësi. Ata theksojnë se pikërisht ekzistenca e sanksioneve të qarta në vende të tjera kontribuon në një kulturë më të lartë mjedisore.

Nga ana tjetër, disa të rinj besojnë se qasja pozitive dhe shpërblimi i sjelljes ekologjike kanë efekt më afatgjatë. Sipas tyre, nxitja përmes kuponëve, pikëve, zbritjeve apo mbështetjes për iniciativa ekologjike krijon motivim dhe ndjenjë përgjegjësie personale, në vend të frikës nga ndëshkimi.

Studimi paraqet gjithashtu praktika ekzistuese në vend, si:

  • sisteme shpërblimi për selektimin e mbeturinave,
  • aplikacione dhe shërbime që motivojnë riciklimin,
  • mekanizma për raportimin dhe sanksionimin e ndotjes në nivel lokal.

Përmes këtyre shembujve, studimi tregon se zgjidhjet më të qëndrueshme janë ato që kombinojnë sanksione të qarta me stimuj pozitivë të menduar mirë, si dhe mekanizma transparentë dhe të qasshëm për pjesëmarrje qytetare.

Në vend të një përgjigjeje të thjeshtë, ky studim rasti na fton në një debat më të gjerë mbi mënyrën se si institucionet, komunat dhe komunitetet mund të bashkëpunojnë për të krijuar një sistem më efektiv dhe më të drejtë për mbrojtjen e mjedisit.

📘 Studimi i rastit është i disponueshëm në katër gjuhë – maqedonisht, shqip, rome dhe anglisht.

👉 Lexoni studimin e plotë të rastit këtu

ℹ️ Studimi është realizuar në kuadër të projektit “ZZZ – Së bashku për Avokim të Gjelbër për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor”, i financuar nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas, dhe i zbatuar nga Qendra për Aktivizëm Rinor KRIK, Center for Social Initiatives “Nadez”, dhe Shoqata e Punëtorëve Social të Maqedonisë – ZSRM.

Qëndrimet e shprehura në këtë publikim janë përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë qëndrimet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas apo të organizatave që zbatojnë programin.